Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” dhe katër personave tjerë, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 31-vjeçarit në Prizren.
Masa e paraburgimit për Kobrën dhe personat A.V, B.M dhe J.B, do të zgjasë deri më datën 03.07.2023. Ndërsa të pandehurit R.S., masa e paraburgimit do t’i zgjasë deri me 06.07.2023.
Këto informacione i dha për Gazetën Insajderi zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M, J.B dhe R.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M dhe J.B, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet prej datës 03.05.2023 deri më datën 03.07.2023, ndërsa për të pandehurin R.S, masa e paraburgimit do ti llogaritet prej datës nga data 06.05.2023 deri më datën 06.07.2023”, thuhet në përgjigjen e Gashit dhënë Gazetës Insajderi