Janë liruar nga detyra Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq, katër anëtarët serbë të Ekipit Menaxhues për përgatitjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Kështu thuhet në vendimin e marrë nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që mban datën 3 maj 2023.
Ky vendim ka ardhur pas takimit të djeshëm në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia s’u pajtuan për Asociacionin.
Çfarë u tha për Asociacionin dje?
Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, tha Kurti, duke iu referuar entitetit me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili gëzon kompetenca që e sfidojnë pushtetin qendror.
Kurti tha se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.
“Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, tha Kurti, duke shfaqur shpresën se ai “do të trajtohet me seriozitet” nga ana e ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.
Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.
“Në vitin 2015, unë dhe [kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa] Mustafa kemi nënshkruar parimet [për Asociacionin] dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese [e Kosovës]”, tha Vuçiq.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.
“Pikëpamjet e palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij Asociacioni. Nuk kam pritur gjë tjetër… Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit”, tha Borrell.
“Unë dua t’i nxis të dyja palët që të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim dhe të jenë të gatshme për të arritur kompromise. Procesi duhet të udhëhiqet nga marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të frymëzohet nga modelet ekzistuese të BE-së”, shtoi ai.