Kuzhinieri në dëshminë e tij tregoi se klienti agresor vinte prej 5 vitesh në atë restorant.
Janë publikuar pamjet nga ngjarja e rëndë e ndodhur disa ditë më parë në Greqi, ku një kuzhinier shqiptar u plagos me thikë nga një klient.
Mediat greke kanë bërë publike pamjet, ku duket shqiptari që goditet me thikë në pjesën e barkut në restorant. Në momentin kur qëllohet ka qenë vetëm bashkëshortja e tij që po e mbronte nga agresori, i cili më pas u largua nga restoranti.
Fillimisht klienti ka bërë porosinë dhe më pas kanë debatuar për shkak se këtij të fundit nuk i pëlqeu gatimi. Pas kësaj, ai merr thikën e kuzhinës dhe qëllon shqiptarin në stomak.
Shqiptari në dëshminë e tij tregoi se klienti vinte prej 5 vitesh në atë restorant. Atë ditë ai porositi diçka të lehtë për të ngrënë por kur erdhi porosia ai mbeti i pakënaqur dhe filloi debati.
Shqiptari iu nënshtrua një operacioni në spitalin e Selanikut, teksa i pandehuri në rrëfimin e tij thotë se nuk e ka idenë se si iu gjet arma në dorë dhe se atë ditë kishte pirë shumë. Ndërsa avokati i kuzhinierit tha për mediat greke se nëse gruaja nuk do ta qetësonte disi ai do ta godiste kuzhinierin për herë të dytë me thikë.