Vrasja e arsimtares së gjeografisë dhe historisë, Sadije Godeni, ka tronditur nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore të mesme të ulët ‘Dardania’ në Prishtinë. Pas marrjes së lajmit të kobshëm, objekti i shkollës pothuajse është boshatisur dhe nxënësve iu komunikua që mësimi sot nuk do të mbahet.
Bregaj tha se gjatë ditës së djeshme, 63-vjeçarja ka mbajtur mësim si zakonisht dhe mungesa e saj mëngjesin e sotëm, e ka habitur.
“Sadija ka jep mësim në 10 klasë. Ka qenë punëtore dhe e komunikueshme. Nuk kemi pasë problem me të. Dje ajo ka qenë në mësim edhe sot kur nuk erdh u çudita thashë çka ka ndodhë, se ajo kurrë s’ka mungu, ose të paktën më ka njoftu mua gjithë. Nuk kemi vërejtë as une e as kolegët që diçka nuk është në rregull. Kjo situatë nuk di..”, tha ai për Sinjalin.
Pikëllimi për vdekjen tragjike të mësimdhënëses i ka kapluar të gjithë stafin e shkollës, përfshirë edhe të gjithë nxënësit dhe ish-nxënësit.
Ajo nga të gjithë përshkruhet si mësimdhënëse shembull dhe e zonja, e dashur për të gjithë.
Ndryshe i dyshuari kryesor për vrasjen e rëndë është bashkëshorti i saj, Izet Godeni. Godeni është dorëzuar në Polici në orët e para të mëngjesit, ku ka deklaruar se ka vrarë bashkëshorten e tij.
Pas marrjes së informatës, njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor të Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e pajetë të 63-vjeçares e cila dyshohet se u vra në mënyrë makabre me sëpatë. Mësohet se në vendin e krimit janë parë njolla gjaku gjithandej.
Me urdhër të prokurorit, 70-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është inciuar rasti për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.