Për nëntë muaj ishte keqtrajtuar psikikisht e fizikisht. Hamide Magashi nuk u la e qetë gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë së saj nga ish-burri. Dhunë pati edhe në momenetin kur ajo u shtri në spital për ta sjellë në jetë foshnjën që po e mbante në bark nga martesa me Sokol Halilin. E ishte pikërisht ish-burri ai që në mënyrë të pamëshirshme e vrau 35-vjeçaren një ditë para se ta lindte fëmijën e gjinisë mashkullore që po e mbante në bark. Gazeta Nacionale ka qëndruar sot te familjet e viktimës e të dorasit të dyshuar. Prej atje jua sjell rrëfimet.
Më 17 shkurt të këtij viti, 35-vjeçarja Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i komunës së Lipjanit vendosi të martohej me Sokol Halilin nga fshati Godanc i komunës së Shtimes. Por martesa e Hamides e bashkëjetesa e saj me Sokolin pas pak muajve u kthye në makth. Ajo në vazhdimësi pësonte dhunë psikike e fizike nga burri i saj. Rastin e dhunës ajo madje e kishte lajmëruar edhe në policinë e shtetit.
E, si pasojë e dhunës, Hamidja vendosi që gjatë muajit maj të këtij vitit përfundimisht të ndahej nga Sokol Halili.
Por ajo e vetme nuk doli nga shtëpia e dhunuesit. Në bark mbante një fryt të njomë, të cilin kishte vendosur që ta mbante deri në ditën që do të lindte. Bashkë me frytin në bark, Hamidja vendosi që ditët e muajt në vazhdim t’i kalonte në shtëpinë ku ajo ishte lindur e rritur, në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.
Edhe pse e ndarë e në proces gjyqësor nga ish-burri Sokol Halili, ai për gjithë këta muaj, në vazhdimësi, po e përndriqte në forma të ndryshme. E përndjekja e tij vazhdoi, edhe kur ajo u shtri në spital për ta lindur foshnjën që e kishte me të.
Por këtë herë, Hamidja 35-vjeçare nuk arriti t’ia dilte e vetme. Ajo u vra me disa plumba pikërisht nga dhunuesi i saj. Komunikimi i Hamides me familjen e ish-burrit: “E gjallë nuk kthena te ju, e vdekur kthena”.
Gjinia e foshnjës, që Hamidja tashmë e ndjerë e mbante në barkun e saj, ishte mashkullore. Ajo ishte në javën e fundit të shtatzënisë. Ishte planifikuar që me operim ta lindte djalin të enjten e 1 dhjetorit.
Por dy ditë para se të futej në operacion, Hamidja u vizitua në spital – në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike – nga familja e ish-burrit. Ishin saktësisht nëna e Sokolit, i dyshuar për vrasjen, si dhe motra e tij.
Sipas motrës së viktimës, Burbuqe Brahimi, atë ditë në spital familja e ish-burrit i kishte kërkuar Hamides që të ribashkohej me djalin e tyre.
“Një ditë përpara (të martën), ata (familja e ish-burrit) ishin në spital, ia sollën minelat edhe teshat e fmive aty e ia lanë. Me këmbëngulje i thoshin që të kthehej. Kjo i tha “unë për e gjallë nuk kthehna, e vdekur kthehna. I thoshin për hatër të djalit (foshnjës që e mbante në bark), kjo u ka thanë: “Nuk kthehna, foshnjën jua dha, por unë nuk kthena”- thotë motra e Hamides tashmë të ndjerë.