Lamë 2021 me shpresën se 2022 do të ishte një vit i begatë, i qetë dhe plot dashuri. Mirëpo, gabuam, pasi edhe ky vit nuk arriti të bëhej viti i preferuar.
E sikur të mos mjaftonin tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë që i la njerëzit në të gjithë botën me “xhepa të shpuar”, Vip-at shqiptarë u kujdesën që përgjatë vitit të na mbanin të karikuar dhe me “zemër në duar”.
Grushti që solli shkëlqimin dhe rënien e Cllevios!
Pas gjitha atyre “traumave” për shqiptarët të cilat i përmendëm më lart një sherr mes dy reperëve, Noizyt dhe Cllevios do “trazonte” akoma dhe më tepër jetët e shqiptarëve.
Grushti që Noizy i dha Cllevios u komentua gjerë e gjatë, madje mund të themi që ishte kryefjala e mediave për disa kohë dhe e ktheu reperin në një nga më të pëlqyerit për të rinjtë.
Mirëpo, ky grusht përveçse e ngriti edhe e rrëzoi Cllevion i cili pas sherrit më Noizyn ra në prangat e Policisë. Pas kalvarit të gjatë në paraburgim Cllevio doli nga burgu i kërkoi falje Noizyt dhe kështu të gjithë jetuan të lumtuar.
Tradhti dhe bashkim, tenelovela “Triumfi i Dashurisë nga Donaldi dhe Bora”
Episodet e tenelovelës me protagonistë Donald Veshaj, Beatrox Ramosaj dhe Bora Zemani, vazhduan edhe këtë 2023-sh. Pas deklaratave të “dashurisë” mes Donaldit dhe Trixës brenda në shtëpi me përfundimin e “Big Brother” erdhi dhe përfundimi i lidhjes së tyre dhe filloi vuajtja e aktorit për faljen e Borës.
Fotot nga paparacët, makina e aktorit e parkuar poshtë shtëpisë së moderatores e shumë sinjale të tjera, bënë rrjetin të vlonte që pas shumë sakrificave Donaldi kishte arritur që të fitonte sërish zemrën e Borës.
E atëhere kur askush nuk e priste, çifti ja bëri bam ku konfirmuan rikthimin e tyre dhe shqiptarët që prej asaj dite filluan ta bëjnë gjumin e qetë.
Dasma përrallore e Armina Mevlanit dhe Shkëlzen Berishës
Më 25 shtator blogerja Armina Mevlani dhe partneri i saj, Shkëlzen Berisha, i dhanë fund beqarisë dhe kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre disa vjeçare. Në një dasmë ashtu si dhe pritej, përrallore, çifti festoi ditën më të lumtur të jetës së tyre me njerëzit më të dashur.
Politikanë, artistë, biznesmenë u bënë të gjithë bashkë për të festuar dhe gëzuar për ata të dy, Arminën dhe Shkëlzenin. Përveç interesit të lartë për të ftuarit, vëmendjen më të madhe sigurisht që do e merrte e zonja e punës, Armina.
Një nuse e thjeshtë, tradicionale dhe mjaft e bukur, Armina festoi dhe gëzoi përgjatë gjithë natës dhe na lejoni të themi që është nusja e cila do të mbahet mend gjatë, pasi ka kërcyer çdo muzikë që u luajt atë natë.
“Romanca e fshehtë” e Flori Mumajesit dhe gruas së politikanit
Një nga ngjarjet më të bujshme për këtë vit sigurisht ishte edhe marrëdhënia e fshehtë mes Flori Mumajesit dhe bashkëshortes së një politikani nga Kosova. Shumë emra u përfolën, por nga kantautori nuk erdhi asnjë reagim.
Epo, kjo nuk është hera e parë që Flori preferon që të rrijë i heshtur dhe të lërë të tjerët të flasin. Pasi, edhe në rastet e kaluara kur është përfolur për lidhje me vajzat e njohura shqiptare, këngëtari ka preferuar që të qëndrojë në qetësinë e tij dhe të vijojë të bëjë atë që ai di të bëjë më mirë, muzikë.
Rrokada e politikës me televizionin, Ori Nebiaj në Kuvend dhe Grida Duma në ekran
Pas dorëheqjes së Grida Dumës nga mandati i deputetit, vendi e saj e në Parlament e zuri Ori Nebiaj.
Nga studio e “Përputhen”, Ori shkoi në Kuvend, ndërsa Grida hoqi kostumin e politikanes dhe veshi atë të moderatores në “Top Channel” me emisionin “Top Story me Grida Dumën”.
E sigurisht kjo ishte lëvizja më e komentuar dhe të gjithë ishim kuriozë se si do përshtateshin vajzat në prozicionet e reja.
Pasaportë shqiptare për Dua Lipën!
Këngëtarja Dua Lipa në vizitën e saj të fundit në Shqipëri mori dhe nënshtetësinë shqiptare. Ishte presidenti Bajram Begaj ai i cili i dorëzoi pasaportën shqiptare këngëtares.
Marrja e nënshtetësisë nga Dua shkaktoi debat në rrjet. Disa ishin pro dhe disa kundër pasi marrjen e pasaportës shqiptare nga Dua e panë thjesht si marketing.
Për ndjekësit pasaporta e Duas erdhi në një periudhë kur mijëra shqiptare po largohen nga Shqipëria.
Zhurma e Festivaleve, akuzat e Endri Priftit për “Këngën Magjike” dhe rikthimi i Elsa Lilës në “Festivalin e Këngës në RTSH”
Një nga ngjarjet më të bujshme të këtij viti ishte edhe festivali i “Këngës Magjike”. Edhe pse çdo vit nga palët të pakënaqura ka akuza, ky vit ishte ndryshe pasi ajo çfarë këngëtari Endri Prifti deklaroi më herët ajo ndodhi në përfundimin e “Këngës Magjike”.
Ai hodhi akuza të forta ndaj organizatorëve të Këngës Magjike dhe Festivalit të RTSH-së se fituesit janë përzgjedhur shumë kohë më përpara. Stefi pretendoi se Këngën Magjike do ta fitojë Marsela Çibuka dhe ashtu ndodhi, ndërsa Festivalin e Këngës Noizy me Eugent Bushpepën, por ata as nuk morën pjesë, që kshu ky “parashikim” i Strefit doli huq.
Pas akuzave të Endrit një tjetër skandal do plaste në lidhje me këtë eveniment pasi u tha se këngëtarët pjesëmarrës kanë blerë klikime. Dhe në lidhje me këtë çështje foli vetë drejtuesi i Acromax, Aldor Nini, i cili tha se edhe këtë vit në “Këngën Magjike” si vitet e tjera janë blerë klikime nga artistë të caktuar.
E të vijmë te qershia mbi tortë e cila këtë vit ka qenë Elsa Lila. Rikthimi i saj pas 25 vitesh në Festivalin e Këngës ishte një suprizë për të gjithë. “Evita” një dedikim për vajzën e saj e ngjiti Elsën në skenë dhe arriti të rrëmbente pafund duartrokitje nga të gjithë ata që i kishte munguar zëri i këngëtares.
Ajo fitoi çmimin e parë të Festivalit të Këngës në edicionin e 61, çmim i dhënë nga juria, por me formulën e re e cila u aplikua këtë vit, ku ishte publiku ai që do zgjidhte përfaqësuesin e tyre për në Eurovision dhe ata zgjodhën që fituesit të ishin Albina dhe familja Kelmendi me këngën “Duje”.