Qindra mijëra euro false dyshohet se qarkullojnë në tregun e Kosovës.
Ardianë Pajaziti nga Prishtina thotë se është përballur vetë me monedha të tilla.
“Duke blerë bukë dhe duke qenë furrë e lagjes… Punëtorja me mirësjellje më ka treguar se paratë janë fals. Monedha ka qenë 2 euro. Kjo përvojë më ka bërë të jem më e kujdesshme se çfarë monedhash pranoj në shërbime të ndryshme”, thotë Pajaziti për Radion Evropa e Lirë.
“E kupton që monedha metalike 2 euro është false, sepse është më e lehtë, pra dallon trashësia dhe diametri. Imazhi i saj është më i dobët dhe ndonjëherë ka ndonjë shkronjë të deformuar”, thotë bashkëqytetarja e saj, Fjolla Vukshinaj, e cila po ashtu ka hasur në para false.
Praninë e parave false e konfirmojnë edhe aksionet e policisë së Kosovës për konfiskimin e tyre dhe arrestimin e falsifikuesve.
Nga janari deri në prill të këtij viti, policia ka iniciuar 363 raste për veprën penale “falsifikim i parasë”.
Në një aksion më 13 prill u konfiskuan 10.600 euro false. Të gjitha paratë e konfiskuara ishin monedha prej 2 eurosh.
Në një tjetër aksion në dhjetor u konfiskuan 63 mijë euro false.
Monedha 2 euroshe të konfiskuara nga Policia e Kosovës.
Një shumë prej 375.000 eurosh false – që të gjitha bankënota prej 100 dhe 50 eurosh – u konfiskua në vitin 2021.
Kohë më parë u arrestua edhe një grup kamerierësh, të cilët u zunë duke shpërndarë para false te klientët në rajonin e Prizrenit.
Nga vijnë paratë false?
Së paku në dy raste të konfiskimit të mijëra eurove false nga Policia e Kosovës, origjina e tyre ishte Maqedonia e Veriut dhe Turqia.
Në grupe të ndryshme në rrjete sociale, po ashtu, pretendohet se në shumë raste paratë false vijnë prej jashtë Kosovës.
Në aplikacionin TikTok ka një numër profilesh që reklamojnë paratë false. Poshtë këtyre njoftimeve ka qindra komente të personave me emër e mbiemër, që kërkojnë të blejnë vlera të ndryshme të parave false.
Në periudha të ndryshme këtë vit, Radio Evropa e Lirë bisedoi me dy profile që kanë qenë ndër më të ndjekurat: “Blejpareks” dhe “Parefallsks”.
Një nga profilet në Tik Tok që shet para false.
Që të dy personat që pretendojnë se i menaxhojnë këto faqe, thonë se mund të sjellin para false në çfarëdo shume që kërkohet, por nuk tregojnë se prej ku.
Për t’u dukur si blerës potencial, REL-i komunikoi me ta duke përdorur gjuhë jostandarde.
Një profil tjetër në Tik Tok që thotë se ka në shtije para false.
Një profil tjetër në Tik Tok që thotë se ka në shtije para false.
I pyetur se a ka para false në shitje dhe se kur mund t’i sjellë ato, “Blejpareks” u përgjigj: “Mundem me t’i sjellë në Kosovë nesër. Vijnë me postë. Postës ja jep paratë”.
REL-i kërkoi nga ai 1.000 euro dhe e pyeti se sa kushtojnë.
“Blejpareks”: 100 euro
REL-i: A vijnë me siguri?
“Blejpareks”: Po, po. Mos ke merak. Seriozë jemi ne. Në atlete i fusim.
REL-i: E unë me ia pagu postierit 100 euro, do të thotë?
“Blejpareks”: Po. E ai t’i jep ty [paratë].
Si të identifikon paratë false?
Institucionet financiare evropiane ndajnë disa këshilla se si mund të identifikohen paratë false.
Një prej metodave është prekja e monedhës, pasi monedhat false zakonisht janë më të vrazhda. Po ashtu mund të identifikohen devijime, shkronja dhe simbole në mospërputhje me origjinalin.
Rekomandohet që nëse keni dyshime në paratë që i pranoni, me mirësi të kërkoni një monedhë tjetër. Sugjerohet që personit në fjalë t’i shpjegohet me mirësi se mund të ketë në posedim një monedhë false, që bie ndesh me ligjin.
Gjithashtu sugjerohet të njoftohet policia për rastin.