Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Siguria e vajzave po cenohet edhe në hapësira publike, shkolla, mjete të transportit e në rrugë. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në ashensorin e një banese në rrugën “Beteja e Loxhës”, në Pejë, ku një person dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht një vajzë 14-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 45-vjeçar, i cili po dyshohet se derisa ndodhej në lift bashkë me të miturën, ka nisur ta ngacmojë seksualisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer detajet e asaj që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, 45-vjeçari i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.