“Punonte për bukën e gojës” – zbulohen detaje rreth rojës së vrarë në Top Channel i cili ishte në prag të pensionit
Plumbat e kallashnikovit në drejtim të godinës së Top Channel, vranë Pal Kolën, 60-vjeçarin shumë të thjeshtë i cili banonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte aspak të mira. Fati nuk u tregua i drejtë me Kolën, i cili për të shkuar në punën e tij ku punonte si roje, i duhej që çdo ditë të bënte në këmbë kilometra të tërë, pasi banesën e kishte larg nga rruga kryesore.
Gazetarja e Report Tv, Ledina Jakimi ka shkuar pranë banesës së Pal Kolës, për të mësuar më shumë nga familjarët e tij, për cilët dhimbja është shumë e madhe por edhe e freskët. Për këtë arsye nuk u prononcuan.
Por burimet bëjnë me dije se i ndjeri kishte nisur pune prej 6-muajsh në Top Channel, çdo natë ai shkonte në punë, madje edhe për festat. Ai ishte çdo ditë në sfidë për të siguruar bukën e gojës për dy vajzat dhe djalin e tij. Ky i fundit punon në Itali.
Ende nuk dihet me çfarë motivi autorët qëlluan pa mëshirë me kallashnikov duke e lënë të vdekur në vend punonjësin e sigurisë.