Ramadan Kaçkini, aktori që kishte luajtur rolin e Adem Jasharit në manifestimin “Ai është gjallë”, që ishte mbajtur në Prekaz më 6 mars 1999, në emisionin “E Diela Vlen” në ATV, ka thënë se nuk e kishte pasur të vështirë ta luante rolin e komandantit legjendar, pasi që atë e kishte njohur dhe takuar shumë herë më parë.
“Fillimisht, unë e kam njohur më herët dhe kam pasur shumë ndeja kohë pas kohe dhe nuk më ka ardhur vështir ta luaj, megjithëse unë i kam pasur këshillat prej Dibranit edhe prej Latës që mundësisht mos të aktroj, por ta paraqesim figurën e Adem Jasharit ashtu siç ishte”, tregoi aktori Kaçkini.
Ai tha se i ka pranuar këshillat e tyre dhe nuk kishte pasur asnjë vështirësi në interpretimin e rolit të Adem Jasharit.
“Nuk kam pasur ndonjë vështirësi, përpos kam pasur probleme në dalje. Ka qenë një binë e improvizume me dy rimorkio të traktorëve që kanë qenë të mbuluara me një mbulesë shumë e rrëshqitshme sepse gjithë natën pat ra shi. E kam pasur frikën edhe mos po rrëshqas e po rrëzohem, por normal edhe qysh do mem pranu publiku, çka ka me ndodh, qysh ka me ndodh sepse ishte për herë të parë që dalshim në një shfaqje të tillë”, tha Kaçkini.
Ai foli edhe për pjesën e organizimit si dhe përmendi ata që dhanë kontribut të madh që ky manifestim të ishte sa më madhështor. /atvlive.tv