Ramiz Kelmendi flet për ikjen e punëtorëve: “Ngritja e pagave është e domosdoshme”
Një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në vend, pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi e ka cilësuar “të domosdoshme” ngritjen e pagave për punonjësit, duke e vënë në pah rrezikun që i kanoset tregut të punës në Kosovë me liberalizimin e vizave.
Afaristi Kelmendi, në një intervistë për Paparacin, ka thënë se liberalizimi i vizave i ka anët pozitive dhe ato negative.
“Ju e dini që liberalizimi i vizave sjell anë pozitive, sidomos për disa qytetarë që kanë dëshirë t’i vizitojnë familjarët e tyre, fëmijët e tyre, ku po jetojnë, si po jetojnë, ndërsa edhe vet familjari, fëmija po ka dëshirë që ta sjellë prindin e t’ia tregojë të arriturat e tij që i ka bërë në shtetet e Evropës”, tha Kelmendi për Paparacin.
“Në anën tjetër ndikon në zvogëlimin e remitancave, shpenzimin e këtyre parave që janë bërë në të kaluarën në konsumin kosovar, pjesa tjetër është e ndjeshme. Pra, shkuarja për të gjetë vend pune. Në momentin që kjo rini shkon që të gjejë vend pune, ata planifikojnë që të qëndrojnë atje të blejnë ndonjë banesë”, shtoi ai.
Për të parandaluar ikjen e të rinjve në drejtim të shteteve perëndimore evropiane, Kelmendi e cilësoi “të domosdoshme” ngritjen e pagave për punëtorët.
“Ngritja e pagave është e domosdoshme pasi po vërehet që qytetaret po kanë interes dhe nevojë për të fituar më shumë për të qenë në trend me të tjerët, po kanë qef të jenë dikushi, të kenë një makinë, të kenë shtëpi, të kenë një shëtitje”, tha ai.