Boksieri Robin Haxhi Krasniqi ka shënuar fitore pas 17 muajve pushim, duke mposhtur boksierin nga Belgjika, Timur Nikarkhoevin në kategorinë gjysmë të rëndë. Krasniqi zhvilloi një luftë të shkëlqyer ndaj belgut për ta arritur fitoren e madhe në raundin e gjashtë.
Raundi i parë si në shumicën e meçeve ishte më i qetë, pasi dy boksierët ishin më të kujdesshëm pas analizave të bëra te kundërshtari. Dueli nisi të ndizet qysh në raundin e dytë, me belgun që dha disa goditje të mira, por edhe Krasniqi nuk e la keq duke e gjuajtur dy herë me të djathtën në sekondat e fundit.
E njëjta ndodhi edhe në raundin e tretë me Krasniqin që mbrohej për mrekulli fillimisht, e pastaj tërë forcën e dëshmonte në sekondat e fundit duke e befasuar belgun. Kosovari ishte shumë pranë ta nokautonte belgun në raundin e katërt, por këtë të fundit mund të themi se e shpëtoi gongu. Pas këtyre goditjeve të njëpasnjëshme, Nikarkhoevin nuk mundi të vazhdojë betejën duke dorëzuar meçin.
Kujtojmë, Krasniqi ka bërë të qartë se ëndërron sërish ta fitojë titullin e kampionit të botës dhe atë brenda vitit 2023. Në këtë turne në Munich, fituan edhe boksierët e tjerë shqiptarë si Musa Avdimetaj (i njohur si James Kraft) Valon Ahmeti, Kushtrim Tahiruka, Isuf Kelmendi, Armend Xhoxhaj dhe Shefat Isufi.