Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ishte e ftuar Migena Agaraj për të na rrëfyer jetën e saj, në një kapërcim realitetesh nga Fieri në New York. Migena na tregoi për jetën, punën atje, sakrificat dhe sfidat ku punonte ditë e natë për të ndihmuar familjen.
“Unë 19 vjeçe kam filluar punë në një “dinner”, si tip baresh të vogla ku mund të konsumosh diçka por pa ndonjë sofistikim të madh që i jep edhe çmimin më të lirë. Aty punohet 24 orë ose nga 7 e mëngjesit deri në 12 të natës. Një mik i familjes, që punonte në kuzhinë, më rekomandon tek menaxheri dhe i kërkon të më ndihmojë. Unë s’kisha as dokumenta, gjuhën nuk e flisja.
Dhe kam filluar punë si hostess, kështu njihen vajzat që rrinë në fillim tek dera dhe ulin klientët. Unë vetëm buzëqeshja dhe qenka armë shumë e fortë kjo. Unë dija vetëm “më ndiqni mua” dhe “një, dy”, kaq! Vetëm “follow me” dija se ma kishin mësuar. Dhe vrisja mendjen pse menaxherja më mori në punë dhe pagesa ishte 7 dollarë në orë.
Mami qantë kur sillja paratë sepse thoshte: më punon vajza në lule të rinisë. Kërkoja çdo orar bosh që ishte, dhe punoja dhe orarin më të keq, atë të natës. E pranoja këtë sepse e dija që isha e fundit, kisha nevojë dhe s’kisha ndërtuar akoma besimin tek ata. Mbaj mend që rroga e parë që kam marrë aty ka qëne 189 dollarë. Kishim shumë shpenzime dhe duhet të kursenim. Mbaj mend që edhe ushqimin që na jepnin aty për person, unë e çoja në shtëpi që ta hanim të gjithë bashkë.
Pronarët e këtij “dinnerit” kishin dhe një biznes tjetër të ngjashëm 20 minuta larg dhe kur nuk kishte punë këtu, shkoja atje, punoja katër orë dhe kthehesha em autobus, e kisha 1 orë e gjysmë larg shtëpinë. U regjistrova në një universitet aty në Bronx më pas për të mësuar gjuhën dhe në tre pasdite që kisha të lira fillova punë dhe një pastiçeri, ku merrja 100 dollarë për ato tre ditë.
Çdo gjë e shënoja në një fletore dhe paratë i fshihnim në kovat e miellit që kishim në shtëpi, sepse bukën e bënim vetë. Nuk hapnim dot llogari në bankë sepse nuk kishim dokumenta. Ishim vetëm të dyja atëherë, babi erdhi më vonë kur mami morri dokumentat.
Mamin nuk e merrnin në punë, mezi i gjeja punë të vogla. Kam punuar për tre vjet pa një ditë pushimi. Kur mora dokumentat, në diiner mu lutën të qëndroja si kamariere. Ishin shumë mbrojtës ndaj meje dhe më donin shumë.”, u shpreh ajo në Dritare TV. /dritare.net