Këngëtari shumë i dashur i muzikës popullore, Ervis Behari ka bërë si rrallëherë një rrëfim për karrierën e tij. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se fillimisht ka nisur të këndojë me gjyshin kur ishte i vogël.
Më pas, Ervisi u shpreh se në koncertin e tij të parë është paguar vetëm 200 mijë lekë dhe me ato lekë i ka blerë nënës një fustan. “Unë isha i vogël dhe më merrte gjyshi në ato fejesat, martesat, sebepet që kishim. Këndoja që kur isha i vogël. Ne këndojmë polifoni se unë vij nga një fshat që është midis Fierit dhe Mallaskastrës. Edhe kemi traditë muzikën polifonike, me atë jemi rritur.
Dëgjo këngën e tij në videon më poshtë:
Ka shumë njerëz që më kanë ndihmuar të jem këtu ku jam. Adrian Hila është një nga ata, e kam thënë shumë herë, por ai ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe Arben Duka.
Koncerti im i parë ka qenë pa pagesë në fshatin tim. Ka qenë një mbrëmje. Ndërsa i pari me pagesën ka qenë nja 200 mijë lekë. Me ato lekë mbaj mend që i kam blerë nënës sime një fustan, sepse supozohej që rrogën e parë duhet t’ja dorëzosh nënës. Kështu e kemi ne andej nga fshati im”, tha këngëtari.
Ai sakaq, u ndal edhe te hit “Dajo”, të cilin zbuloi se e ka xhiruar kur nëna kishte ndërruar jetë dhe është një dedikim për të.
“Unë e kam thënë edhe herë të tjera, që çdo koncert timin e nis me këngën e “Nënës”. Madje, para se të dal në skenë shikoj ato fotot, e kam për energji të mirë.
Të gjitha këngët e mia, sidomos kënga e “Dajos” është bërë pasi ndërroi jetë nëna ime. Është një nga ato këngë që mua më ka lënë pasaportën, le të themi. Më ka identifikuar. Tekstet e këngëve të mia i ka shkruar Arben Duka, i cili është një poetët më të mirë që ka Shqipëria. Them që ka sepse ai mbetet gjallë përmes veprave të tij.
Unë kam nxjerrë këngën e nënës, një javë pasi nëna ime kishte ndërruar jetë dhe ka qenë dita e 7 kur unë kam xhiruar videoklipin në fshatin tim. Dua të them këtë gjë, që Zoti ndoshta të jep edhe fuqi, kur e mendon që të largohet një njeri i afërt nga jeta. Kënga e “Nënës” është inçizuar gjatë kohës që nëna ime ishte e sëmurë, nuk e dija, në atë kohë e mora vesh. Nuk e dija që ishte e sëmurë aq rëndë, më thotë Adi Hila, do bëjmë një këngë për nënën. Po, patjetër, i thash. Ndërkohë, që ai e dinte historinë time”, u shpreh Behari.