Shqiptari “shpik” makinën me 6 rrota që kushton 170 mijë euro
Kjo makinë është unike në llojin e saj. Është bashkimi i dy makinave në një, krijuar nga Ermal Isufi. Pasioni për makinat e shtyu Ermalin të niste punën për krijimin e saj. Ka qenë 4×4 dhe e kemi kthyer 6×6. Një vit që e kam studiuar dhe 4 muaj për ta ndërtuar…
Pashë një video, është një kompani që prodhon në Amerikë dhe e bëra dhe unë një…Pak detaje atyre, pak e studiova dhe arrita ta bëj”, tregon Ermal Isufi, inxhinier.
Koha e karantinës ka rezultuar shumë efikase për të. I dha mundësinë të krijonte këtë “monstër të kuqe”.
“Është e rregullt me letra, dal jashtë Shqipërisë. Kjo është më shumë makinë për qejf, makinë salloni sesa për xhiro. Është bërë nga A-Zh çdo gjë vetë”, thotë ai.
Një makinë e tillë nuk ka se si të mos tërheqë vëmendjen, as ndaj uniformave të policisë. “Nuk dinin çfarë dokumentesh të pyesnin. A ka letra? Po, ka i thosha. I thosha e kam modifikuar vet. Nuk ka mundësi, kështu e ke marrë nga jashtë”, tregon Ermali.
Ky krijim i tij ka rënë në syrin e kompanive të huaja. Nuk kanë munguar ofertat, por Ermali ka një përgjigje të prerë.
“Kjo ka një vlerë 150-170 mijë euro. Kanë ardhur 4 zviceranë, më kanë ofruar ofertë atje, por nuk më kanë interesuar, bashkëpunim të prodhojmë. Dua ta ndërtojmë çdo gjë këtu, ikën njëri, ikën tjetri, kush do ngelë”, thotë i riu.
Krijimet e tij nuk do të ndalen me kaq. Ai ka nisur punën për të krijuar një tjetër makinë, e përdorur në një nga filmat më të famshëm në Hollywood. Deri atëherë do të shijojë “vogëlushen” e tij.