Pse është haram pirja e alkoolit?
Përgjigjja: Padyshim se të mirat dhe të dobishmet Allahu nuk i ka ndaluar. Njeri si krijesë e çmuar dhe e dalluar e Allahut ndryshon nga krijesat e tjera me shumë gjëra, por ajo që e bën atë të ketë tretman të veçantë nga Allahu është logjika dhe arsyeja që e posedon.
Si i tillë është mëkëmbës i Allahut në tokë. Kurdo që njeriu e humb arsyen, shndërrohet në një krijesë tjetër, që nuk i përngjanë më vetes si krijesë, aq sa i përngjanë kafshëve. Pra mbetet si krijesë biologjike që ha e pi dhe nuk di pse jeton. Allahu jo vetëm që njeriun e nderoi me mendje, por i kushtoi rëndësi të veçantë ruajtjes së mendjes në të gjitha mënyrat.
S’ka dyshim se dehja me pije alkoolike është në kundërshtim të drejtpërdrejt me ligjet e Allahut në natyrë. Konsumimi i alkoolit çon te mbulimi i mendjes me ç’rast njeriu nuk është në gjendje ta kontrollojë vetveten dhe të dijë se çka vepron. Në gjendjen e tillë mund ta vrasë dikë, ta shajë, ta keqtrajtojë, ta plaçkitë, ta prek nderin e huaj, ta prek pasurinë e huaj etj. Për të mos ardhur deri tek këto rreziqe, Allahu ia ka ndaluar njeriut rreptësisht që ta mbajë, ta shesë, ta shërbejë, ta prodhojë, ta stimulojë e sidomos ta konsumojë alkoolin.
Allahu thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë? (Maide, 90)
Allahu i Madhërishëm e ka ndaluar alkoolin si masë preventive për ta ruajtur mendjen e njeriut dhe qetësinë në shoqëri. Në anën tjetër, dëmet e alkoolit në aspektin shëndetësor janë aq të shumta sa që nuk gjen askund asnjë institucion apo institut mjekësor që flet fjalë të mira apo të favorshme për alkoolin dhe konsumuesit e tij.
Ndoshta e gjithë bota vuan prej tij dhe e limiton konsumimin e tij thuajse në të gjitha mënyrat, por u mungon shprehja islame “haram” në çdo kohë dhe në çdo vend. Sido që të jetë, për alkoolin më së lehti është ta dimë arsyen e ndalimit sepse njeriun më të afërt dhe më të dashur të familjes, që është i çmendur detyrohemi ta lëvizim nga gjiri familjar drejt ndonjë qendre rehabilituese. A thua vallë, çka me ata që veprojnë për humbjen e qëllimshme të mendjes, qoftë edhe në interval të shkurtër! Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku