Një skandal i vërtetë është denoncuar së fundmi në Tetovë, përkatësisht në Spitalin e Gjinekologjisë, ku një nga mjekët specialistë ka xhiruar gratë në një nga sallat, madje i ka nxjerrë edhe live në TikTok, duke bërë një “ndeshje” me një person tjetër.
“Doktori nga Tetova del live në sallën e gjinekologjisë dhe pa pikë turpi i shfaq trupin dhe fytyrat gravenë gjendje tmerruese, ky duhet dënuar. Kjo nuk tolerohet,”-shkruhet në videon që kanë xhiruar ndjekësit e që është shpërndarë me shpejtësi.
Ndërkohë, ajo që e bën më të rëndë këtë video janë britmat e grave që bërtasin nga dhimbjet e lindjes apo probleme të tjera shëndetësore.
Sipas mediave vendase, drejtori i repartit është nisur drejt Sektorit të Punëve të Brendshme për ta raportuar rastin dhe për të vendosur para drejtësisë fajtorin.
Pëllumb Vela tha se e dënon rastin dhe se pret që organet e rendit ta zgjidhin këtë çështje sa më shpejt.
“Si drejtor edhe për të paraqitur rastin dhe me organet e rendit do të zgjidhim këtë çështje, sa më shpejt të jetë e mundshme. Kjo ngjarje nuk është e kuptueshme për ne dhe e dënojmë çdo sjellje joorofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve,”- tha Vela.
Zbulimi i këtij skandali në spitalin e Tetovës vjen vetëm pak ditë pas tragjedisë së madhe në spitalin e Manastirit, ku një i porsalindur ndërroi jetë pak pas lindjes për shkak të neglizhencës së mjekëve.