Sot varroset mësimdhënsja e vrarë. Mëngjesin e djeshëm, ndodhi një ngjarje makabre, ku një burrë 70-vjeçar dyshohet se e vrau me sëpatë gruan e tij 63-vjeçare në Prishtine. Ndërkohë, shkolla fillore e mesme e ulët, “Dardania”, ku ajo ishte profesoresh e gjeografisë, ka njoftuar varrimi i saj do të bëhet sot nga ora 14:00.
Ajo do të varroset në varrezat e qytetit në Dragodan. “Varrimi i arsimtares Sadije Miftari-Godeni bëhet sot në ora 14:00 në varrezat e qytetit në Dragodan. U prehtë në paqe”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se burri, dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë. Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet tutje në komunikatë.