Në nëntor të këtij viti opinioni u trondit nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ku një infermiere sulmoi fizikisht një grua të moshuar.
Menjëherë pas publikimit të pamjeve në rrejtët sociale, institucionet e drejtësisë u vunë në lëvizje duke i arrestuar tri nga infermieret e përfshira në këtë rast, dhe të njëjtave iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Por infermieret Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi u liruan nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Supreme. Ndaj të njëjtave ende nuk është ngritur aktakuzë e as nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore deri më tash.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti. “Lidhur me pyetjet e parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se në këtë çështje penale ende nuk është ngritë aktakuza. Deri në ngritjen eventuale të aktakuzës, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, në gjykatë nuk mbahet asnjë seancë gjyqësore”, ka thënë Zhuti.
Telegrafi ka pyetur edhe në Prokurorinë Themelore të Pejës, se përse deri më tash nuk është ngritur aktakuzë nga ana e tyre.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi ka thënë se rasti është ende në hetim.“Janë duke u ndërmarrë ende veprime hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Nikçi.
Më 3 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Pejë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurave Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi të cilat dyshohen për sulmin ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Pas këtij rasti, katër infermiereve Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka hequr licencat e punës.
Kurse, qendrës “Orenda” iu revokua licenca pas inspektimit që i ka bërë asaj qendre Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale.