Një tjetër mrekulli është regjistruar nën rrënojat që lanë pas tërmetet shkatërrimtare të 6 shkurtit në Turqinë juglindore. Një burrë është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas 296 orësh, ndërsa në mediat turke janë shpërndarë pamjet e para të kontaktit të tij me ekipet e kërkim-shpëtimit.
Shtetasi sirian Semir Muhammed Accar, sapo ka rënë në kontakt me shpëtimtarët e tij, gjëja e parë që ka kërkuar ka qenë të pijë ujë. Atij iu dha menjëherë një shishe me ujë për të shuar etjen. Sipas ekipeve të kërkim – shpëtimit, ata dëgjuan papritur disa tinguj në ekzaminimin që bënë me një kamerë termike dhe pajisje të ndjeshme dëgjimi.
Aty zbuluan se kishte disa persona të gjallë, mes tyre një grua dhe një fëmijë, të cilët u nxorën së bashku me Semirin dhe u dërguan për marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore.
Numri i të vdekurve nga tërmetet Turqi-Siri fatkeqësisht ka shkuar në gati 44 mijë. Autoritetet turke thonë se të paktën 38 mijë e 44 njerëz janë vrarë në vend. Qeveria siriane dhe Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 5 mijë e 800 njerëz kanë vdekur atje. OKB-ja ka nisur një apel për 1 miliard dollarë ndihmë për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Turqi./a2cnn