Për Landi Metkon, djalin fjalëpakë dhe të papërtuar të fshatit Selenicë, puna si bujk dhe modifikimi i mjeteve bujqësore janë dy faktorët kryesorë që e mbajnë ende në vendlindje. Ishte vetëm 12 vjeç kur i ati e merrte me vete për të punuar tokën. Sot ai ndjehet krenar që ka ndjekur gjurmët e tij.

Në Selenicë të Kolonjës ka ndërtuar familjen, madje ideja e largimit nga vendi nuk është në planet e të ardhmes. Sapo mbërrin në vendin e tij të punës, vë re se Landit nuk i mungon asnjë makineri.
“E kemi nisur me një traktor të vogël, nga puna e shumtë kemi arritur të blejmë 2 traktorë dhe një autokombajnë. Kam bërë një pompë lavazhi për të larë mjetet, edhe kundërpeshën e kam bërë vet se vinte goxha lekë”, tregon Landi për emisionin “Një nga ne”.
Dëmtimet e makinerive bujqësore dhe shpenzimet që kërkojnë janë të pashmangshme, por sërish 30-vjeçari është entuziast se do ia dalë të ngrejë pasurinë e tij me punën si bujk.
“Kemi 40 hektarë të mbjella, 3 hektar i kam të miat. Ka raste që e nis punën në 5 të mëngjesit deri në 2,3 të natës. Kemi hallin e kohës kur prishet dhe duhet t’i mbjellim me patjetër”.
I ati 68 vjeç, po ashtu nuk e ka ndalur punën. Do t’i bëhet krah fëmijëve që mos t’iu mungojë asgjë.
“Toka është pjellore. Nga Selenica nuk i heq fëmijët, as në Amerikë nuk i çoj. Pasioni i punës dhe paraja energjik të bëjnë. Po i ndihmoj që t’iu lë ndonjë pasuri këtyre, të kenë dhe të mos i varin kokën njeriu fare”. K.T./r.k./Shqiptarja.com