I dyshuari për vrasjen e ndodhur para Klinikës së Gjinekologjisë dyshohet se është ish-burri i viktimës. Siç mëson Klankosova.tv, viktima është qëlluar me dy plumba në kokë ndërsa dorasi ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Se një grua 35-vjeçare është vrarë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, është shprehur Ahmeti për Klankosova.tv.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë krim të rëndë ndodhet në arrati, ndërkohë që Policia ka aktivizuar ekipin ekipin hetimor, njësitin e Forenzikës dhe ka filluar operacionin për identifikimin dhe kapjen e tij.
Përgjigjja e Policisë:
Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.