Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur sonte në QKUK, ku një person dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë. Burimet nga QKUK-ja bëjnë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugagji i Lipjanit.
Ndërkohë Sinjali ka mësuar se i dyshuari për këtë rast është Sokol H., i cili dyshohet se e ka qëlluar bashkëshorten me një plumb dhe më pas ka ikur. Burimet nga Emergjenca bëjnë me dije se rastit tragjik i ka paraprirë një fjalosje mes tyre.
Përgjigjja e Policisë:
Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.