Gazeta Insajderi ka zbuluar identitetin e të dyshuares për rrahjen brutale të pacientes së moshuar në qendren “Orenda” në Pejë. Sipas Insajderit, sulmuesja dyshohet të jetë Aurona Pelaj nga fshati Novosellë i Pejës.
Gazeta Nacionale nuk ka arritur ende ta konfirmojë indentitetin e të dyshuares. Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.
Shiko videon:
Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.
Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.
Zeneli ka shkruar se mënyra se si keqtrajtohet zonja në moshë, tregon se një gjë e tillë është normale në këtë qendër kujdesi.
Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.
Ky rast e ka tronditur opinionin publik, me reagime nga të gjitha anët. Edhe pronari i “Orendës” ka folur për Nacionale, duke thënë se janë të shqetësuar me këtë ndodhi.