Aktivistja shqiptare e Kosovës Elena Bogëjani ka deklaruar për mediat se infermieres Aurona Pelaj ia kanë publikuar videon për qëllime hakmarrjeje. Ajo ka shtuar se qëllimi i vërtetë i publikimit të videos në rrjetet sociale nuk është denoncimi i dhunës.
Bogëjani tha se videoja i ishte dërguar një aktoreje dhe kjo do e publikonte me siguri. Ajo ka shtuar se ka qenë një inat personal mes punonjëseve të azilit. Aktivistja ka thënë se dërguesja është përpjekur të luajë rolin e shpëtimtares.
“Publikimi i dhunës na vjen duke iu dërguar një aktoreje. Ka qenë e llogaritur se e kanë ditur që ajo do ta publikojë. Duket që është një hakmarrje ndaj kësaj infermiereje.
Ndaj mendoj se edhe ajo që e ka dërguar videon, që mundohet të luajë rolin e shpëtimtares, është duke u hakmarrë. Është personale ndaj Auronës nuk është për të shpëtuar pleqtë dhe të ekspozojë dhunën”, deklaroi aktivistja.
Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se e moshuara dhunohej sistematikisht në qendrën e të moshuarve. Nura është e ëma e luftëtarit të UÇK Taulant Nurës, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës.
Vajza e saj ka thënë për mediat se paguante 600€ për kujdesin e të ëmës në azil. Shkaku se pse e moshuara nuk kishte rrëfyer dhunën më parë është sepse vuante nga alzhaimeri.