Pamjet e tmerrshme të pasojave të tërmetit Turqi-Siri na i kanë thyer zemrat të gjithëve. Mijëra njerëz kanë humbur jetën, shumë janë plagosur e kanë mbetur pa familje e shtëpi.
Xhiron e rrjetit e bëri një video e dhimbshme nga Siria, ku një foshnje e sapolindur u gjet nën rrënoja. Ajo ishte ende e lidhur me kordonin e kërthizës së të ëmës, që kishte ndërruar jetë.
Babai i foshnjës gjithashtu kishte vdekur nën rrënojat e shtëpisë, si bashku me katër fëmijët e tjerë. Forcat e kërkim-shpëtimit e gjetën bebushen më shumë se dhjetë orë pas tragjedisë dhe nxituan ta mbështjellin me batanije e ta shpëtojnë.
Ajo u dërgua në spital, ku iu dha ndihma e shpejtë ndërsa mjekët treguan se bebushja kishte të çara e mavijosje në trup. Madje, nga i ftohti kishte ballin dhe gishtërinjtë të nxirë. “Ajo gjithashtu mbërriti me hipotermi për shkak të të ftohtit të ashpër. Ne duhej ta ngrohnim dhe t’i jepnim kalcium,” tha pediatri Hani Maaroouf.
Pasi video e shpëtimit të saj u bë virale në rrjet, mijëra njerëz u ofruan ta birësojnë të voglën e mbetur pa familje. Mirëpo, ajo tashmë e ka një shtëpi pasi xhaxhai i saj do të kujdeset, së bashku me familjen e tij.
Ata i vendosën foshnjes emrin Aya, që në arabisht do të thotë “Mrekulli”.